PËRSËRI VJEDHJE NË KISHËN E SHËN KOLLIT PRANË FSHATIT VANAJ NË RRETHIN E FIERIT
5 Μαρτίου 2011
Ngjarja dhe historitë e mëparshme.
Duke gdhirë dita e Djelë e datës 6 është shpërthyer dera e kishës së Shën Kollit në fshatin Vanaj të rrethit të Fierit dhe përveç vjedhjes së arkës së kishësh, aty është vjedhur edhe këmbana e saj. Nuk është rasti i parë që nga kjo kishë vidhen në mënyre kostante elementë të dekoracionit artistik dhe si përfundim tanimë ikonostasi i saj pothuajse nuk ekziston. Në vend të tij tanimë gjendet vetëm skeleti mbajtës me pamje të trishtueshme.
Në kishë është vjedhur para katër vjetësh në datë 11 dhjetor, dera kryesore që hyn në naos(salla kryesore). Kjo derë kishte elementë artistik dhe dekorativ druri të gdhendur në të cilin ndodhej një mbishkrim që na jepte informacionin kryesor për datimin e kishës. Si në rastin e ditës së djelë dhe herët e tjera është bërë denoncimi në organet përkatese, por gjithnjë heshtje dhe asnjëherë nuk është konkluduar me kapjen e keqbërësve. Si duket kemi të bëjmë me një zonë të pa mbuluar mirë përsa i përket ruajtjes së monumenteve, duke ditur që edhe kishat që janë pranë saj si ajo e Shën Gjergjit në Libofshë edhe ajo e Shën Thanasit në Karavasta vidhen sistematikisht dhe janë edhe ato në gjendjen e kishës së Vanajt.
Në këtë kishë janë bërë punime të plota restauruese në vitet 1998-1999 me fonde investuara nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe punime të kryera nga Drejtoria Rajonale e Institutit të Monumenteve Tirane, që në atë kohë kishte mundesinë të bënte punime restaurimi dhe mirmbajtjeje.
Ajo që kërkohet në përfundim nga nga organet përgjëgjese ka të bëjë me lëvizjet e nevojshme për gjetjen e mundëshme të elementëve të vjedhura nga kjo kishë por sidomos të gjejë këmbanën për t’ia kthyer ato përsëri trashëgimisë tonë kulturore në mënyrë që të mos kthehet ky rast si rastet e tjera ku asnjeri nuk ka bërë asgjë, si dhe të shikohet mundësia për parandalimin e këtij fenomeni, i cili ka qënë dhe vazhdon të jetë shumë shqetësues për një kohë të gjatë.
Vlerat historike dhe arkitektoniko-artistike të monumentit.
Ngrihet në majën e një kodre të ulët, në mes të një pylli të dendur me qeparisa. Mbishkrimi i ruajtur mbi portën jugore të kishës na jep datën e ndërtimit dhe të pikturimit të saj. Kisha u ndërtua në vitin 1777 dhe u pikturua më 1795 nga vëllezërit grabovare Gjergji dhe Joani, të cilët kanë ushtruar një veprimtari të dendur në krahinën e Myzeqesë.
Kisha i përket një tipi mjaft të përhapur në krahinën e Myzeqesë gjatë shek. 18-19. Ajo përbëhet nga naosi dhe hajatet e mbyllura që e rrëthojnë atë nga tri anë. Naosi është një bazilikë njënefesh me tavan të rrafshët. Një ikonostas prej druri të gdhendur ndan ambientin e altarit, i cili përmban apsidën e madhe e të nxjerre jashtë dhe dy niket e protezisit dhe të diakonikonit.
Naosi rrethohet nga ana veriore, jugore dhe perendimore nga hajatet e mbyllura, nga të cilat pjesa perendimore eshte shume më e gjërë dhe lot edhe rolin e narteksit. Në hapësirën e tij është veçuar një kthinë, ku mbahej vaska e pagëzimit, ndërsa në anën perendimore lartësohet kulla e ulët prej druri e këmbanores.
Elementët e dekoracionit të brendshëm janë piktura murale që vesh të gjitha siperfaqet e muraturës, ikonostasi dhe amvoni prej druri të gdhendur të një cilësie të larte artistike dhe tavani prej druri i ngjyrosur.
Në pamjen e jashtme spikat volumi i naosit i mbuluar me çati dyujse, i cili ngrihet mbi volumet e hajateve, të mbuluara me çati njëujse. Në ndryshim nga perpunimi i varfer dekorativ i pamjeve të jashtme është apsida, e cila është ndërtuar me bloqe guri të skalitura dhe është gjallëruar nga një harkade e verbër. Permban gjithashtu dhe relieve antike dhe gurë, te marra siç është traditë edhe në kishat e tjera të Myzeqesë, nga Apolonia e Fierit.
Përgatiti: Arkitekt Restaurator Gentian Stratobërdha