JETA Ε SHENJTIT MARTIR DHE APOSTULLIT TË VËRTETË SHËN KOZMA ETOLLOSIT (2) (Αλβανικά, Albanian)
14 Νοεμβρίου 2009
Në vendin e quajtur Lëkurës, afër Fanarit, një turk pa kryqin, që pati lënë aty Shenjti siç e kish zakon, e lëvizi nga vendi ku ish dhe po e çonte në shtëpinë e vet që të bënte dy dërrasa për krevatin. Por menjëherë – çfarë çudie! – ndodhi një si tërmet i fuqishëm dhe, duke mos mundur të mbahet në këmbë, ai ra përtokë e rrokullisej, shkumonte dhe kërciste dhëmbët si i çmendur.
Kjo mbajti shumë dhe, pasi erdhi në vete i ndihmuar nga dy kalimtarë, kuptoi se ktshte rënë mbi të zemërimi hyjnor ngaqë guxoi dhe hoqi kryqin nga vendi ku ishte. Keshtu, vetë ai e shpuri dhe e vendosi kryqin persëri në vendin e vet, aty ku ishte më parë. Shkonte çdo ditë dhe e putbte me përkushtim te madh. Një herë tjetër, kur kaloi prej aty Mësuesi i Shenjtë, i njëjti turk vrapoi pas tij, iu fal dhe ua tregonte ngjarjen të tjerëve duke kërkuar ndjesë kokulur.
Shenjti bënte kontroll në ato gra që vishnin stolira dhe arriti t’i bindë me fjalët e tij që t’ i hiqnin të gjitha. Një pjesë bile u veshën edhe me të zeza. Një grua e pasur nga Korça kishte një fëmijë, të cilin e stoliste me monedha floriri dhe stoli të tjera të tepërta. Këtë grua e këshilloi shumë herë Shenjti t’ua ndante stolitë femijëve të varfër po qe se donte të jetonte edhe i biri. Por ajo nuk e dëgjoi. Më në fund i tha se po të mos i hiqte stolitë nga fëmija, do ta humbiste shpejt. Dhe, meqenëse përsëri nuk u bind, ditën tjetër e gjeti të birin të vdekur në shtrat dhe e kuptoi se Zoti e ndëshkoi për mosbindjen e saj.
Shenjti kudo që shkonte i mësonte të krishterët të mos bënin shitblerje të dielave, as punë të tjera, por të shkonin në kisha për të ndjekur Meshën e Shenjtë dhe fjalën e Zotit. Kush nuk bindej do merrte dënimin e Zotit. Në Halqadhes, një fshat që mban rreth një orë nga Arta, një tregtar, i cili nuk dëgjoi dhe guxoi të shesë mailin e vet të dielën, menjëherë ndjeu dorën t’i paralizohej. Por ai shkoi me nxitim tek Shën Kozmai, kërkoi të falur për mekatin dhe pas disa ditësh u shërua.
Ε njëjta gjë u bë edhe në Pargë. Dikush që kishte një punishte, deshi të shesë diçka të dielën, por iu bllokua dora dhe s’e lëvizte dot. Shkoi ia rrëfeu mëkatin Shenjtit dhe ai, pasi e këshilloi, e fali duke i dhënë njëkohësisht shërimin e dorës, që aq shumë e priste. Në Ksiromeri qëlloi që një grua të mbrunte të dielën. Kur nxorri bukën nga furra, e gjeti të kuqe, si të ishte mbrujtur me gjak. U përul në këmbët e Shenjtit dhe mori prej tij ndjesën që i takonte. Edhe në të tjera vende, meqenëse nuk u ruajt respekti që i takonte ditës së diel, diku plasi një buall, diku një mushkë, dikë e lanë mendtë dhe dikush mbeti pa fëmijë.
Në një fshat të Kosturit, në Selcë, një grua që i falej Shenjtit, mori ujin me të cilin Ai pat larë dikur fytyrën dhe e mbante në një enë qelqi. E, për çudi, brenda në atë enë mbiu një bimë vetëm me dy fletë. Bima u bë e madhe sa edhe ena dhe qëndronte në ujë pa hedhur gjëkundi rrënjë, ruante vazhdimisht ngjyrën e saj dhe mbetej e freskët për një kohë të gjatë. Të gjithë njerëzit çuditeshin me të, sepse ky ujë u solli shërim shumë të sëmurëve, siç thosh edhe vetë gruaja që e kish. Të tilla dhe të tjera çudira bëri Zoti me anë te Shenjtit, por ne nuk do t’ i permendim të gjitha që të mos zgjatemi shumë.
Shën Kozmai thoshte shumë herë se vetë Jezu Krishti e thirri për të shpallur Ungjillin dhe se nga dashuria për të ai do të flijohej. Kjo profeci e tij u bë realitet në këtë mënyrë: Ky mësues apostolik nuk e hapi kurrë gojën për të thënë diçka kundër hebrenjve as në Selanik as në Kostur dhe as në Janinë, kudo që ndodheshin hebrenj. Vetë ai u mësonte të krishterëve të sillen siç i ka hije një të krishteri të mirë dhe të jenë të çiltër e të ndershëm me afendikojtë që Zoti u caktoi. Vetë shqiptarët që shkonin nëpër sheshe ku ai përhapte fjalën e Zotit dhe e dëgjonin me ëndje, e tregonin Kozmanë si një njeri shumë të dhënë pas Zotit, sa edhe vetë Kurt Pashai, pasi i dëgjoi këto fjalë, urdhëroi dhe i sollën Shenjtin. Kaq shumë i pëlqeu biseda me të, saqë fronin për të cilin folem më lart ia ndërtoi dhe ia veshi me kadife të mëndafshtë vetë ai, që Shenjti të ngjitej në të dhe t’u fliste besimtarëve nga lart. Por hebrenjve që baponin në Janinë nuk u pëlqente të përhapej besimi dhe Ungjilli i Jezu Krishtit, prandaj shkuan dhe i thanë Kurt Pashait se Shën Kozmai ishte gjoja i dërguar nga Rusia për të mashtruar rajatë. Atëhere dora hyjnore e mbrojti Shenjtin nga kjo shpifje vdekjeprurëse, por pasuritë e të krishterëve u demtuan rëndë.
Meqenëse u vërtetua se akuza që i bënë Shenjtit te Pashai ishte e rreme dhe asgjë me tepër nga një shpifje, Shën Kozmai shkoi përsëri në Janinë, ku arriti të binde të krishterët ta bëjnë pazarin jo të dielën, por të shtunën, dhe kjo gjë i dëmtoi shumë hebrenjtë. Në vazhdim i shpalli hebrenjtë armiq të hapur të Krishtit dhe tha se ata ishin gati për të bërë keq në çdo çast. Kështu, meqë hebrenjtë e kishin inat Shenjtin për ato që u bënte, shkuan tek Kurt Pashai dhe i dhanë shumë para që ta vriste. Ai, si mori edhe mendimin e hoxhës, vendosi ta kryente këtë punë me mënyrat e veta. Kjo gjë u bë siç do ta tregojme më poshtë:
Shenjti e kishte bërë zakon që, kudo ku shkonte për të përhapur fjalën e Zotit, të merrte leje nga Kryeprifti i vendit ose nga këshilltarët e tij. Për të njëjtin qëllim dërgonte përfaqësues të tij për të marrë leje nga krerët e vendit. Pas kësaj shpallte pa pengesë fjalën e Zotit. Kur shkoi njëherë në një fshat të Shqipërisë, në Kolikodash, mori pëlqimin e Kryepriftit të asaj zone. Ai kërkoi gjithashtu dhe krerët e vendit dhe mësoi se atë zonë e urdhëronte Kurt Pashai, i cili ndodhej në Berat që mbante dymbëdhjetë orë larg. Por mësoi se hoxha i pashait ndodhej aty afër dhe prandaj dërgoi njerëz që i morën lejen dhe mundi t’u flasë të krishterëve. Për të qenë më i sigurt, ai mendoi të shkonte vetë te hoxha dhe të merrte leje. Të krishterët e penguan për pak kohë duke i thënë se kurrë nuk e pat bërë një veprim të tillë, pra të shkonte personalisht në krerët e vendit për t’u kërkuar leje. Por askush nuk mundi ta pengonte. Shenjti u tha të mos e pengonin më, mori me vete katër kallojerë dhe një prift për përkthyes dhe shkoi te hoxha. Hoxha i tha se gjoja kishte marrë letër nga Kurt Pashai ku e porositte t’i dërgonte Shenjtin për të biseduar. Ndërkaq ai urdhëroi njerëzit e tij të mbajnë nën mbikqyrje Shenjtin dhe të mos e lënë të dalë nga oborri deri sa ta dërgonin tek Pashai. Atëhere e kuptoi mësuesi i bekuar se kishin ndërmend ta vrisnin. Lëvdoi dhe falënderoi Zotin Krisht që i dha mundësinë ta mbyllte si martir udhën e tij apostolike. Pastaj u kthye nga kallojerët që e shoqëronin dhe u tha psalmin që fillon me vargjet: “Kaluam nëpër zjarr e ujë dhe na nxorre në dritë”. Atë natë vazhdoi t’i thurë lavde pa pushim Zotit pa u treguar aspak i pikëlluar për vdekjen që i afrohej, por përkundrazi dukej i gëzuar si të shkonte nëpër dasma e ziafete. Në mëngjes e morën shtatë xhelatë turq, e hipën mbi një kalë dhe u hoqën gjoja sikur po e çonin tek Kurt Pashai. Por, kur u larguan -kishin bërë rreth dy orë rrugë – e shpunë aty ku kalonte një lumë i madh dhe, pasi e zbritën nga kali, i treguan se kishin urdhër nga Kurt Pashai që ta vrisnin. Shenjti e dëgjoi me gëzim këtë vendim kundër tij, ra në gjunjë dhe iu lut Zotit duke e falënderuar e lëvduar që nga përkushtimi për të po flijohej, ashtu sikurse e dëshironte ngaherë shpirti i tij. Pastaj u ngrit, bekoi duke bërë kryqin në katër anët e horizontit dhe u lut për gjithë të krishterët që u përmbaheshin porosive të tij. Në vazhdim xhelatët e ulën pranë një peme dhe deshën t’ i lidhin duart. Por Shenjti nuk i la, duke u thënë se nuk do të kundërshtonte, por do t’i mbante duart të kryqëzuara si t’ia kishin lidhur. Pastaj mbështeti kokën e tij të shenjtë në pemë. Barbarët e lidhën me një litar në qafë dhe, me ta shtrënguar pak, shpirti i tij i shenjtëruar u ngjit menjëherë ne qiell. Kështu, i lumi Kozma, njeriu që vetëm të mira u kish bërë të gjithëve, ai që ishte nje stoli e vërtetë e kësaj bote, pati fatin të marrë nga Zoti një kurorë të dyfishtë, si apostull i vërtetë dhe si shenjt i martirizuar në moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeç. Trupin e tij të shenjtë xhelatët e zhveshën, e zvarritën dhe e hodhën ne lumë me një gur të madh në qafë. Kur e mësuan lajmin, të krishterët vrapuan me një frymë për ta nxjerrë. Kërkuan në ujrat e lumit me rrjeta dhe me mjete të tjera, por nuk mundën ta gjenin. Pas tri ditësh, një prift i përkushtuar i quajtur Marko, që shërbente në Manastirin e Ardevusës pranë fshatit Kolikodash hipi në një trung, bëri kryqin dhe shkoi të kërkonte. Dhe – sa çudi! – pa trupin e Shenjtit që qëndronte mbi ujë dhe rrinte drejt si të ish i gjallë. Nxitoi menjëherë, e përqafoi dhe e nxorri nga uji. Në momentin që e ngriti, u derdh në lumë shumë gjak nga goja fjalëmbël e Shenjtit. Pastaj si e veshi kufomën e Shenjtit me rason e vet, e çoi në Manastirin e Shën Mërisë dhe e varrosi me nderime prapa Ajodhimës.
Pas vdekjes së Shenjtit ndodhën ngjarjet e mëposhtme: Kurt Pashai u pendua hidhur sepse u gënjye nga fitimet e çastit dhe vrau një njeri të pafajshëm dhe të paqshëm si ai. I dërgoi lajm hoxhës të lironte kallojerët e Shenjtit, që i mbante nën mbikqyrje, për të shkuar ne Manastirin e Shën Mërisë dhe të qëndronin aty. Kur këta shkuan dhe gjetën të varrosur kufomën e Shenjtit, për të mësuar më mirë si ndodhi flijimi i tij, e çvarrosën së bashku me priftërinj dhe besimtarë të tjerë. Megjithëse kishte ndenjur tri ditë brenda në lumë, trupi i tij nuk ishte dëmtuar fare dhe as që mbante erë të keqe. Përkundrazi prej tij përhapej një aromë e mirë dhe dukej sikur flinte. Si e përqafuan me dhimbje e përkushtim, e varrosën përsëri. Atë çast qëlloi aty një grua e çmendur, e ardhur nga larg, që ndiqte Shenjtin sa ishte gjallë me shpresë se do të shërohej. Kur pa që hapën varrin e Shenjtit, mendja e saj u trondit fuqishëm dhe pas pak u bë shëndoshë e mirë dhe nuk pushonte së lëvduari Shenjtin.
Njëri nga turqit që vranë Shenjtin pat marrë kamillafin e tij dhe ishte kthyer te hoxha duke e mbajtur në kokë e duke tallur Shenjtin. Por në çast e lanë mendtë, hoqi rrobat dhe vraponte duke thirrur se ai e vrau Shenjtin. Kur kjo gjë ra në vesh të Pashait, ai urdhëroi dhe e hodhën në burg ku hoqi keq e mos më keq dhe më në fund vdiq.
Shenjti, pasi pat mbajtur fjalën e tij të fundit në fshatin që përmendëm më sipër, domethënë në Kolikodash, la aty, sipas zakonit një kryq të ngulur në tokë. Pas vdekjes së tij të krishterët vërenin pëmatë një dritë qiellore që ndriste mbi kryq. Prandaj, në ditën e Kryqit priftërinjtë e populli shkuan dhe e morën kryqin duke bërë litaninë e duhur dhe e vunë pas Ajodhimës si kujtim të përjetshëm të çudisë që pat ndodhur.
Kur nxënësit e tij u lanë krejt të lirë nga Pashai, mblodhën eshtrat e trupit të Shenjtit. Disa prej tyre morën copa eshtrash dhe u shpërndanë në vende të ndryshme, ku shumë të sëmurë fituan shëndetin me bekimin e tij. Bile tregojnë se ndodhi edhe ngjarja e mëposhtme: Në ishullin Naksos shkuan dy nxënës të tij për t’i treguar si ndodhi vdekja e martirit drejtorit të atyshëm të shkollës, Krisanthit, vëlla i Shenjtit të martirizuar. Qëlloi të kishin me vete disa nga qimet e mjekrës së Shenjtit. Në fshatin Neohori një grua ishte e sëmurë rëndë nga një sëmundje vdekjeprurëse. Kur ajo mori në dorë me përkushtim këto qime – sa çudi! – ndjeu menjëherë një fuqi të mbinatyrshme në trup dhe me ndibmën e saj gjeti përsëri shëndet të plotë. Por edhe shumë gra që s’lindnin fëmijë, pasi morën me perkushtim dhe bindje dhe prej varrit të Shenjtit, brenda dyzet ditësh arritën atë çka dëshironin. Pra, me hirin e Krishtit dhe ndërmjetësinë e Shenjtit arritën të lindnin fëmijë.
Paçim dhe ne fatin që, me ndermjetësinë e Shenjtit martir, të ngjttemi në mbretërinë qiellore. Amin.